Incineratorët, Pollo: Nisi në 2014. Në vendet e tjera do kishte dorëheqje të qeverisë. Autorët e VKM duhet të ishin para drejtësisë
Ish- deputeti Genc Pollo, ka folur për aferën e incineratorëve, ku për këtë çështje deri më tani në pranga ka rënë ish-ministri i mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.
Në një intervistë për Ora News, Pollo tha se kjo aferë ka nisur që në vitin 2014, ndërsa shtoi se asokohe, VKM u ndryshuan me shpejtësi.
Ai tha se në këtë aferë janë të përfshirë zyrtarë më të lartë se Bllako e Koka, ku përmendi dhe Kryeministrin Edi Rama, ministrin Arben Ahmetaj dhe ministra të tjerë.
Genc Pollo: Arrestime për aferën e incineratorëve, mendoj se janë gjë pozitive, mendoj që duhen përshëndetur, por që janë të vonuar. Kjo aferë nuk ka filluar në mandatin e dytë dhe as të tretë të Kryeministrit, por që në mandatin e parë. Që në vitin 2014, VKM janë bërë me nxitim, janë bërë me një shpejtësi jo të zakonshme për administratën shqiptare dhe në mënyrë të kundraligjshme. Problemi është se këtu janë të përfshira nivele shumë të larta se sa Bllako dhe Koka, të cilët me veprimet e tyre, janë direkt përgjegjës. Ajo që pritet nga një prokurori që do ishte e pavarur dhe ligjdashëse, do ishte marrja si person të pandehur të këtyre titullarëve të qeverisë. Duke filluar nga Edi Rama, ministri i financave, kryetari i bashkisë, te dy tre ministra të tjerë dhe pastaj te Bllako.
Sipas Pollos, nëse një aferë e tillë do të kishte ndodhur në vende të tjera të botës, qeveria do të dorëhiqej. Teksa ka komentuar punën e SPAK në lidhje me këtë aferë, Pollo tha përpjekja kryesore e këtij institucioni do ishte kur autorët e 12 VKM që nënshkruan për incineratorët do të ishin para drejtësisë.
Genc Pollo: Intensitetit i skandaleve në këtë vend është kaq i madh saqë druaj se vëmendja e publikut nuk do ishte në nivelin e duhur. Media opozita dhe shoqëria e pavarur ka detyrë t’i sjellë këto në vëmendje. Ky është skandali më i rëndë për nga fatura financiare. Ajo që e rëndon më shumë është mbrojtja politike që i ka bërë Edi Rama. Jo vetëm që i ka mbrojtur deri në ditën e fundit, por ka përfshirë dhe grupin parlamentar duke e çuar në vendin e krimit. Këto gjëra nuk ndodhin në vendet e tjera, se qeveria jep dorëheqjen, ministrat japin dorëheqjen. Ky është një problem i madh që ne si shoqëri duhet ta kapërcejmë. Duhet t’i mësojmë që të marrin përgjegjësi, jo vetëm me fjalë por edhe duke nxjerrë konsekuenca. Përpjekje serioze do ishte kur autorët e 12 VKM në një ditë do të ishin para drejtësisë.
Nga e gjithë ajo që është parashtruar Koka dhe Bllako janë ingranazhet më të vogla të një makinerie korruptive kriminale. Këtu është përgjegjësi kolektive sepse kemi të bëjmë një grup që bashkëvepron, një grup të strukturuar.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
