Zelensky akuzon Merkelin dhe Sarkozy: Për koncesione ndaj Rusisë penguan anëtarësimin e Ukrainës në NATO

Presidenti ukrainas Zelensky do të fliste me emra për të akuzuar drejtëpërdrejt Merkelin dhe Sarkozinë si politikanë të lartë që kanë bërë koncesione ndaj Rusisë në të shkuarën. Ai solli në vëmendje samitin e NATO-s, në 2008-ën, kur u pranua Shqipëria, se Franca dhe Gjermania bllokuan Ukrainën në këtë organizatë. Merkeli ka reaguar për rastin me anë të zëdhënësit të saj duke thënë se i qëndron atij vendimi të marrë 14 vjet më parë.

Lideri i Ukrainës në këto kohë të vështira, Volodimir Zelensky, ka akzuar drejtëpërdrejtë Gjermaninë dhe Francën për situatën sot në Ukrainë, sepse këto dy fuqi të rëndësishme evropiane nuk pranuan Ukrainën në NATO në vitin 2008.

"Ftoj zonjën Merkel dhe zotin Nicolas Sarkozy të vizitojnë Buchan dhe të shohin se ku na ka çuar politika e koncesioneve ndaj Rusisë në 14 vjet" tha presidenti ukrainas, duke iu referuar krimeve makabër kundër civilëve ukrainas që dyshohet të jenë kryer nga trupat ruse dhe që janë përshkruar nga fuqitë botërore si krime lufte.

Zelensky tha se këtë javë është 14-vjetori i samitit të NATO-s në Bukuresht në 2008-ën, kur aleatët mund t'i jepnin dritë jeshile Gjeorgjisë dhe Ukrainës. 

Sipas Zelenskyt jemi sot në këtë situatë sepse Gjermania nën drejtimin e Merkelit dhe Franca nën drejtimin e Sarkozysë ishin ndër ata që u përfshinë në bllokimin e ambicieve të NATO-s të Gjeorgjisë dhe Ukrainës – në një përpjekje për të qetësuar presidentin rus Vladimir Putin.

Për samitin e vitit 2008, Zelenskyy tha se ishte një shans për ta nxjerrë Ukrainën nga 'zona gri' në Evropën Lindore. 

Ndërkohë, në përgjigje të kësaj akuze një zëdhënës i Merkelit tha se ish-kancelarja gjermane i qëndron vendimeve të saj në lidhje me samitin e NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht. 

Duke pasur parasysh që mizoritë janë të dukshme në Bucha dhe vende të tjera në Ukrainë, të gjitha përpjekjet e qeverisë gjermane dhe komunitetit ndërkombëtar janë për të qëndruar në krah të Ukrainës dhe për t'i dhënë fund barbarizmit dhe luftës së Rusisë kundër Ukrainës kanë mbështetjen e plotë të ish-kancelares gjermane, - tha zëdhënësi i Merkelit.

Ndërkohë, sa i përket rastit në Bucha, Moska ka mohuar përfshirjen në ato krime, por udhëheqësit perëndimorë po përgatiten të rrisin në mënyrë dramatike sanksionet ndaj Rusisë këtë javë si kundërpërgjigje.