Tensione lufte edhe në Arktik, rusët kërkojnë qetësi, NATO thotë se sulmi në Ukrainë ndryshoi strategjinë

Tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë shfaqur edhe në rajonin e Arktikut. Në këtë rajon të madh dhe të pasur me burime natyrore kufizohen shtete të rëndësishme, mes të cilëve edhe Amerika me Rusinë. Rusët thonë se kriza në Ukrainë nuk duhet të shfaqet edhe në Arktik, por për NATO-n tashmë kjo ka ndodhur që kur Putini zgjodhi luftën me Ukrainën.

Përveç Ukrainës, në vëmendje të NATO-s dhe Rusisë është edhe Arktiku. Kohët e fundit ka pasur një shtim të aktiviteteve ushtarake në këtë rajon, si nga pala ruse dhe ajo amerikane. Rusët thonë se kriza në Ukrainë nuk duhet të shfaqet edhe në Arktik, por për NATO-n tensionet tashmë janë realitet.

Rreth dy javë më parë, NATO nisi një nga stërvitjet më të mëdha në Arktik. Ndërsa stërvitja ishte planifikuar përpara nisjes së konfliktit me Ukrainën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë inspektimit të tij i lidhi tensionet në Ukrainë me ato në Arktik.

"Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një moment vendimtar," -tha Stoltenberg.

"Është një normalitet i ri për sigurinë evropiane dhe gjithashtu për sigurinë e Arktikut."

Stoltenberg iu referua NATO-s edhe si një "aleancë Arktike" dhe e përshkroi rajonin "me rëndësi strategjike për sigurinë e të gjithë zonës euro-atlantike dhe kritike për lidhjet e komunikimit midis Amerikës së Veriut dhe Evropës".

Stërvitja e Arktikut ka përfshirë edhe ushtarakë të vendeve që nuk janë anëtarë të NATO-s – norvegjezët, suedezët dhe finlandezët.

Këto vende në kufi me Rusinë sot ndihen më të frikësuar pas nisjes së të ashtuquajturit "operacion special" nga Rusia në Ukrainë, pjesërisht për të kundërshtuar edhe zgjerimin e aleancës së NATO-s.

Finlanda ka një kufi preh 1300 km me Rusinë teksa politikanët finlandezët kanë diskutuar anëtarësimin e mundshëm në NATO.

Suedia në një sondazh të fundit njoftoi se 59% e suedezëve dëshironin të anëtarësoheshin në NATO nëse Finlanda e bën këtë.

Vetë Stoltenberg njoftoi në fillim të marsit se NATO tani po ndan të gjitha informacionet mbi luftën në Ukrainë me Suedinë dhe Finlandën. Të dyja vendet marrin pjesë rregullisht në takimet e NATO-s. Ndërkohë, për Norvegjinë, Stoltenberg tha se "asnjë vend tjetër në botë" nuk është partner më i ngushtë.

Ndërkohë, rusët besojnë dhe kërkojnë që të mos ketë tensione në Arktik. Ky është një rajon që Rusia pikëtakohet edhe me Amerikën ku Alaska dhe Rusia ndahen nga ngushtica e Beringut. Për Rusinë, vendin me vijën bregdetare më të gjatë të Arktikut, rajoni është i rëndësishëm si strategjikisht ashtu edhe ekonomikisht.