Macron i kërkon BE-së të ndalojë plotësisht eksportin e qymyrit dhe të naftës nga Rusia

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se është "dëshira e tij" për të parë një bllokim total të eksporteve ruse të qymyrit dhe naftës në Bashkimin Evropian "këtë javë", pas zbulimit të asaj që ai e përshkroi si "krime lufte" në qytetin ukrainas Bucha.

Duke folur të hënën, 4 prill, në televizionin francez France Inter, Macron tha se ka "shenja shumë të qarta" se në Bucha janë kryer krime lufte dhe, "është e vërtetuar se është ushtria ruse" ajo që është përgjegjëse për to.

"Nuk mund ta lëmë të rrëshqasë. Ne duhet t'i vendosim sanksione sepse nuk mund ta lejojmë atë që ka ndodhur atje (në Bucha), atë që po ndodh në Mariupol, "-tha ai.

Macron tha se do të kishte diskutime me partnerët e tij evropianë këtë javë në lidhje me sanksionet e mëtejshme.

KETU LAJMI MINUTE PAS MINUTE

“Ata që qëndrojnë pas këtyre krimeve duhet të përgjigjen për to,” -tha ai.

"Ne duhet të dërgojmë sinjal të qartë se është dinjiteti ynë kolektiv dhe janë vlerat tona që ne mbrojmë," -shtoi ai. "Nuk ka paqe pa drejtësi."

Franca është e gatshme të ndihmojë Ukrainën në hetimin e saj të ngjarjeve në Bucha, tha Macron, megjithatë ai refuzoi të deklarojë nëse presidenti rus Vladimir Putin duhet të përballet me gjyqin për atë që ndodhi atje.