Fitoi mandatin e katërt, Orban e quan "kundërshtar" Zelenskyn dhe burokratët e Brukselit
Hungarezët i kanë dhënë Viktor Orbanit një mandat të katërt qeverisës me shumicë dërmuese kundër opozitës.
Orban në fjalimin e fitores përmendi kundërshtarët e tij në këto zgjedhje, ku përveç Bashkimit Evropian e filantropit Xhorxh Soros, futi në listë edhe presidentin ukrainas Zelensky.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka arritur të fitojë një mandat të katërt të paprecedentë kundër një opozite të bashkuar gjashtë partiake të udhëhequr nga Peter Mark Zai.
Me mbi 98% të votave, Orban ka siguruar 2/3 e ulëseve të parlamentit, duke fituar mbështetjen e 53% votuesve hungarezë.
Ndërsa opozita mundi të marrë vetëm 56 mandate deputetësh, ose e thënë ndryshe rreth 35% të votave dhe 18% diferencë nga partia e së djathtës ekstreme në pushtet, Fides.
Nisur nga sondazhet përpara prillit, fitorja e thellë nuk parashikohej as nga mediat pranë qeverisë së Orbanit, të cilat raportuan se partia Fides do të ishte në epërsi ndaj opozitës me vetëm 5-9%.
Në fjalimin e tij të fitores Orban futi në listën e zezë të kundërshtarëve të tij edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai kritikoi edhe Brukselin për burokracitë dhe sigurisht armikun e tij politik, multimiliarderin Xhorxh Soros.
Orban: "Të dashur miq, ne morëm një fitore gjigante. Një fitore e madhe që mund të shihet edhe nga hëna, por sigurisht edhe nga Brukseli. Ne u përballëm me forcën më të madhe, të majtën ndërkombëtare, burokratët e Brukselit, të gjitha organizatat e perandorisë së Xhorxh Sorosit, mediet kryesore ndërkombëtare dhe së fundmi edhe presidentin ukrainas. Ne kurrë nuk kemi pasur kaq shumë kundërshtarë"
Përpara zgjedhjeve Hungaria akuzoi qeverinë ukrainase se po ndërhynte në zgjedhje, pasi Orban tregoi një qasje të butë ndaj Kremlinit lidhur me sanksionet.
Kreu i opozitës Peter Mark Zai pranoi humbjen, duke mos kontestuar rezultatin siç pretendonte më herët se do të kishte manipulime.
Peter Mark Zai: "Nuk dua ta fsheh mërzinë dhe zhgënjimin. Ne duhet të dimë faktin se këto zgjedhje u fituan nga propaganda dhe jo nga ndershmëria apo nderi"
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte tepër e lartë, rreth 67%, në të cilat u konfirmua edhe njëherë shumica e hungarezëve që votojnë për partinë Fides dhe kryeministrin Orban.
