Putin uron Vuçiç për fitoren: Do të vijojmë të forcojmë lidhjet vëllazërore Rusi-Serbi

Presidenti rus Vladimir Putin uroi liderin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç  për fitoren në zgjedhje dhe tha se shpresonte të forconte  partneritetin e tyre strategjik, tha Kremlini.

"Unë pres që puna juaj si kreu i shtetit do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e partneritetit strategjik që ekziston midis vendeve tona”, tha Putin në mesazhin e tij në Telegram drejtuar Vuçiç, sipas deklaratës së Kremlinit.

“Kjo padyshim përmbush interesat e popujve vëllazërorë të Rusisë dhe Serbisë."

Kremlini vlerësoi fitoren "bindëse" të liderit serb.

Udhëheqësi 69-vjeçar rus është izoluar gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht pasi dërgoi trupa në Ukrainën pro-perëndimore më 24 shkurt.

Vuçiç ka qenë një nga aleatët e tij të rrallë në Evropë.

Ai e ka menaxhuar me kujdes përgjigjen e Serbisë ndaj fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke dënuar zyrtarisht Rusinë në Kombet e Bashkuara, por duke mos e sanksionuar Moskën, shkruan RTE.