Dyluftim me granata në vend të armëve, zbardhet shpërthimi në Lezhë, autori në kërkim

Policia e Lezhës ka zbardhur atentatin me granatë në Lezhë të premten. Sipas bluve shënjestra ishte Sokol Pepushi, i cili është arrestuar nga policia, ndërsa si autor i dyshuar për hedhjen e granatës është shpallur në kërkim Admir Zogaj.

36-vjeçari Sokol Pepushi ishte objektivi i sulmit me lëndë plasese, ngjarje e ndodhur mesditen e së premtes pranë një lokali në lagjen "Besëlidhja", të qytetit të Lezhës.

Pas veprimeve hetimore dhe administrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë së bizneseve, policia ka arritur të identifikoje autorin dhe të zbardhë atë çfarë ka ndodhur.

Sipas bluve rreth orës 13:00 të ditës së premtes, shtetasi Admir Zogaj 46-vjeç banues në Manati ka hedhur një ndezës granate në drejtim të shtetasit Sokol Pepushi, e cila ka shpërthyer pa shkaktuar dëme në njerëz.

Pas ngjarjes 36-vjeçari Pepushi është larguar pa njoftuar policinë, por u arrestua disa orë më vonë dhe ndaj tij është ngritur akuza "Moskallëzimi i krimit".

Ndërsa është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e autorit të ngjarjes 46-vjeçarit Admir Zogaj, ndaj të cilit janë ngritur akuzat "Vrasja me dashje", e mbetur në tentativë dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit".

Materialet hetimore i janë referuar prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes që dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes dy përsonave.