"Presidenti" Berisha përjashton kategorikisht konsensusin me Ramën: Nuk puthemi me Judën
Nga Shkodra Sali Berisha paralajmëroi se opozita nuk do të propozojë një emër për Presidentin e ri të vendit pas Ilir Metës, por as nuk do të japë konsensus për propozimet e PS në parlament. Pas homazhit në memorialin e dëshmorëve të 2 prillit, Berisha theksoi se demokratët po bashkohen me njëri -tjetrin dhe me shqiptarët për tu ngritur kundër qeverisë.
Demokratët mbështetës të Sali Berishës nuk kanë një emër për të propozuar si kandidat për president të Republikës. Gjithashtu në mënyrë kategorike Sali Berisha përjashton votimin e kandidatit të Edi Ramës për kryetar shteti.
"Në asnjë mënyrë nuk votojmë kandidatin e Edi Ramës. Të votosh kandidatin e Edi Ramës do të thotë të çosh në presidencë kopjen e tij por kjo nuk mund të ndodhë."
A pranon konsensus?
"Konsensusi me Edi Ramën është të puthesh me Judën. Ai vuan nga kompleksi i vdekjes edhe në gjumë ngrihet llahtar nga unë" tha Berisha.
Berisha sëbashku me kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahia dhe deputetë të PD, mori pjesë në homazhe për dëshmorët e 2 prillit të cilët tha se ranë për zgjedhjet e lira, të rrezikuara nga pushteti edhe sot.
Duke iu referuar situatës së brendshme në PD, Berisha foli për bashkimin e forcave mes demokratëve dhe gjithë shqiptarëve kundër regjimit të Edi Ramës.
Pas homazheve tek monumenti në nderim të katër dëshmorëve të 2 prillit, Berisha vizitoi bashkinë e Shkodrës ku pati edhe një bashkëbisedim me përfaqësues të qytetit.
