Nafta sot shitet me 226 lekë /litri, benzina 208 dhe gazi 114 lekë

Nafta dhe benzina do të shiten më lirë ditën e sotme. Në vendimin e fundit, Bordi i Transparencës njofton se nafta do të shitet me pakicë 226 lekë për litër, benzina 208 lekë për litër, ndërsa gazi me 114 lekë/litri. Çmimet e caktuara nga Bordi do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme ku do të pasqyrohen ndryshimet e shitjes në bursë.

Nafta ka pësuar sërish ulje në treg në pikat e karburantit. Çmimi i ri i naftës është vendosur 226 lekë për litër duke pësuar një ulje prej 5 lekësh krahasuar me çmimin e fundit që ishte 213 lekë për litër.

Rënie ka njohur dhe benzina dhe gazi. Çmimi i benzinës do të jetë 208 lekë, një ulje prej 4 lekësh, ndërsa çmimi i gazit do të jetë 114 lekë.

Këto çmime të fiksuara nga Bordi i Transparencës do të jenë në fuqi nga data 2 prill deri në mbledhjen e ardhshme të këtij bordi.

Kjo ulje e çmimit vjen pas rënies edhe në bursën ndërkombëtare, pasi çmimi i një fuçie naftë luhatet në vlerën 102-104 dollarë. Tendenca rënëse në tregjet ndërkombëtare është shënuar që në nisje të javës, kur të martën një fuçi u tregtua me 107 dollarë.

Çdo operator i shitjes së karburantit është i detyruar të zbatojë vendimin e Bordit të Transparencës. Në rast të shkeljeve të konstatuara do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.

Por, megjithë rënien e lehtë këtë të shtunë, sërish çmimi i naftës në tregun vendas mbetet ndër më të lartat në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Bosnjë Hercegovinës që llogarisin një litër naftë deri në 1.7 euro.

Krahas luhatjes së vazhdueshme të kuotave të arit të zi në bursa, mbi çmimet e karburanteve në vendin tonë rëndon barra e lartë fiskale. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 120-130 lekë për litër.

Çmimet për karburantet sot, 2 prill

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë 226 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 214 lekë/litër.

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë 208 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 196 lekë/litër.

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 114 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 102 lekë/litër për automjetet.