Energjia do të rritet, BERZH: Vit i zymtë ekonomik
Sa më shumë kalon koha aq më të zymta bëhen parashikimet e institucioneve ndërkombëtare për rritjen ekonomike të Shqipërisë si rrjedhojë e pasojave që po shkakton konflikti në Ukrainë.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2022.
Sipas BERZH, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë me 3.3% në vitin 2022, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e muajit nëntor.
Parashikimi i rritjes ekonomike të bankës për vitin 2022 për rajonin e Ballkanit Perëndimor u ul me 0.9 pikë përqindjeje në 3.2%.
Sipas BERZH, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikohen negativisht nga çmimet më të larta të naftës, disa nga rritja e çmimeve të gazit.
Siç ka paralajmëruar dhe Rama, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është më e ekspozuar se të tjerat ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike pasi importon një sasi dukshëm më të lartë të energjisë sesa eksporton, tha BERZH.
Ballkani Perëndimor mund të ndikohet indirekt nga një recesion më i gjerë europian dhe global, duke pasur parasysh ndërlidhjet e ngushta midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe eurozonës, veçanërisht në sektorin automotiv ku Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina mund të jenë më të goditurat.
Për vitin 2022, qeveria shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare kanë parashikuar një rritje prej rreth 4%, por pritshmëritë pritet të rishikohen, pas pasojave që po jep në ekonominë globale sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
