Nafta në kulm, qeveria "blen" për 4 vite, tenderi absurd 14 mln euro furnizim në kulmin e krizës

Lufta në Ukrainë ka sjellë pasoja edhe në Shqipëri, me rritjen e çmimeve të karburantit dhe të produkteve të tjera për qytetarët, por kjo krizë duket se nuk ka prekur qeverinë.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Brendshme ka hapur gjatë kësaj jave një procedurë për blerje karburantesh me një fond limit prej 1.7 miliard lekë ose 14 milionë euro.

Tenderi është ndarë në 5 lote dhe afati për të cilin është parashikuar furnizimi me karburant varion nga 2 deri në 4 vite. Në fakt kohëzgjatja duket e çuditshme kur çmimi aktual ka prekur kulmin për shkak të luftës në Ukrainë.

Referuar dokumenteve, loti i parë parashikon furnizimin me karburant të Drejtorisë së Policisë së Shtetit për 4 vite me një fond prej 1.2 miliard lekësh e më tej furnizimi I Policisë për 3 vite kundrejt 462 milionë lekëve.

Loti i tretë parashikon furnizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Inspektoratit të Punës, Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Shkodër dhe Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Dibër për 2 vite me 29.8 milionë lekë.

Dhe dy lotet e tjera kanë në objekt mbulimin me karburant të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Infrastrukturës e Energjisë për 2 vite me një fond limit 6 milionë lekë.

Në lidhje me specifikimet teknike që duhet të plotësojnë operatorët kërkohen të dhëna për xhiron e 3 viteve të fundit, e cila duhet të jetë jo më e vogël se 40% e vlerës së fondit limit.

Gjithashtu përcaktohet që subjektet duhet të kenë marrë pjesë në procedura të ngjashme dhe të kenë të paktën 7 stacione të tregtimit me pakicë të karburanteve në Bashkinë Tiranë dhe në bashkitë e tjera të vendit.

Në një njoftim të APP autoriteteve kontraktore u është bërë me dije që për procedurat që zhvillojnë duhet të marrin parasysh çmimet e fiksuara nga Bordi, të cilat janë të publikuara në faqen e tyre. Por duket se nuk është marrë parasysh fakti se bordi është i përkohshëm.