Covid na mori jo vetëm jetën por edhe kuletën, 430 mln euro humbje nga pandemia

Viti 2020 ishte më i vështiri në historinë e tranzicionit që pas krizës së piramidave të ‘97-s.

Për muaj me radhë aktiviteti ekonomik u paralizua, shumë individë mbetën të papunë, bizneseve u ranë shitjet, teksa shumë persona u përballën me kostot e lartë të kurimit dhe fatkeqësisht humbjet e jetëve ishin të larta.

INSTAT ka publikuar vlerësimet gjysmëfinale të prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2020, të cilat tregojnë qartë pasojat që dha pandemia në ekonominë e vendit.

Sipas INSTAT, të ardhurat kombëtare bruto në vitin 2020 ishin rreth 1.62 trilionë lekë (rreth 13.3 miliardë euro), nga 1.67 trilionë lekë vitin e mëparshëm.

Në vlerë, të ardhurat kombëtare bruto janë tkurrur me 53 miliardë lekë, ose 431 milionë euro që janë “fshirë” nga pandemia. Humbjet llogariten edhe më të larta, pasi nëse do të ishte një vit normal, ekonomia do të rritej mesatarisht me rreth 3%.

Të ardhurat për frymë zbritën në 579 mijë lekë, me një reduktim prej 2.3%. Çdo individ kishte 14 mijë lekë më pak të ardhura në vit, si rrjedhojë e pasojave të pandemisë.