"Nuk kemi krijuar monopol", Importuesit e plehrave kimike dënojnë gjobat nga Autoriteti i Konkurrencës

Importuesit e plehrave kimike dënojnë gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës për tre kompani në vlerën e afro 120 milionë lekëve. Ata thonë se penalizimet nuk janë vendosur në bazë të fakteve teksa hedhin poshtë akuzat për krijimin e monopolit në këtë sektor.

Importuesit e plehrave kimike akuzojnë Autoritetin e Konkurrencës se ka gjobitur padrejtësisht tre kompani që operojnë në këtë sektor në vlerën e afro 120 milionë lekëve. Ata theksojnë se nuk veprojnë si monopol.

“Dua ta bëjë të qartë në mënyrë  të përsëritur dhe me përgjegjësi profesionale dhe ligjore se në tregun e imputeve bujqësore që ne përfaqësojmë nuk ka asnjë monopol, nuk ka vendosje të bashkërenduar çmimesh, nuk ka asnjë prej bizneseve tona licencë të veçantë që dëmton biznese të tjera”- tha Tritan Çako.

“Autoriteti i Konkurencës në mënyrë tepër të njëanshme vendosi të vejë gjoba marramendëse ndaj kompanive që sakrifikojnë në tregun bujqësorë. Këto gjoba janë të pabazuara.”- tha Fiqiri Ismaili

Në një konferencë të posaçme shoqata shqiptarëve e tregtarëve të plehrave dhe agrobiznesit shprehet se nuk ka abuzime në treg dhe se çmimet janë pasojë e luftës në Ukrainë.

“Ne jemi furnizuar në zonat e luftës deri më dje, sot furnizohemi në zonat afër vendit të luftës me një risk tepër të lartë parapaguajmë për mallra që mund të mos vijnë kurrë në treg. Alternativat e tjera janë të papërballueshme për tregun shqiptarë."- tha ai. 

Sipas përfaqësuesve të shoqatës çmimet e inputeve dhe plehrave kimike janë më të lira krahasur me rajonin.