Opozita i kërkon qeverisë të bëjë transparente formulën e llogaritjes së çmimit të karburantit

Opozita kërkon nga qeveria të bëjë transparente formulën e llogaritjes së çmimit të karburantit pasi është vërejtur se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë në tregun shqiptar, ndërsa nuk ndodh e njëjta gjë kur çmimi ulet.

Opozita e cilëson veprim të turpshëm ngritjen e Bordit të Transparencës, pasi çmimi i karburantit në Shqipëri vazhdon të rritet edhe pse në tregjet ndërkombëtare ka pasur rënie.

"Me bekimin e qeverisë rritet çmimi megjithëse çmimi i karburanteve në tregun ndërkombëtar vazhdon e bie. Po në nëntor që ishte çmimi 100 dollarë dhe nuk shkoi më shumë se 185 lekë, përse në mars kur prapë ra në 100 dollarë për fuçi çmimi shkoi 231 lekë", tha Spaho.

Nisur nga kjo situatë, deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho kërkoi që të bëhet transparencë në lidhje me formulën që përdor Bordi i Administrimit të Karburanteve për të caktuar çmimin me të cilën do të tregtojnë pikat e karburantit.

"Metodologjia si bëhet analiza e këtij çmimit që na nxjerr ky bordi? Ligji i detyron importuesit të kenë të depozituar pronë të tyre për 3 muaj konsum. Kjo lejon abuzimin skandaloz", tha Spaho.

Qëndrimi i Spahos u mbështet dhe nga deputeti socialist, Erion Braçe, i cili u shpreh se formula që aplikon bordi është e ndryshme nga akti normativ që ka ardhur në Parlament.

Ndërkohë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj sqaroi se javën e ardhshme do të diskutohen arsyet e zgjedhjes së kësaj formule.

"Gjatë javës së ardhshme do të jemi këtu për të diskutuar në detaj për arsyet e përcaktimit të asaj formule" tha Ibrahimaj.

Ajo u shpreh se ngritja e një bordi të tillë është një politikë e detyruar nga situata ku ndodhet vendi, ndërsa paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i krizës ekonomike.