Çmimi i karburanteve/ Nafta ulet me 8 lekë, benzina rritet me 1 Lek/litër, gazi shitet 115 Lekë

Pas rritjes së çmimit të naftës deri në 245 lekë për litër, çmimi u ul sërish këtë të premte, 1 prill.

Bordi i Administrimit të Karburanteve, i ngritur nga qeveria për menaxhimin e situatës së krijuar me çmimet, vendosi që 1 litër naftë të blihet përkundrejt 231 lekëve deri më 2 prill.

Ulje të lehtë ka njohur dhe gazi, i cili në 2 ditët e para të këtij muaji do të tregtohet me 115 lekë. Ndërkohë benzina është shtrenjtuar me 1 lekë.

Vendimi pas rënies së çmimit të karburantit në tregjet ndërkombëtare deri në 102 dollarë për fuçi. Tendenca rënëse në tregjet ndërkombëtare është shënuar në nisje të javës, kur të martën një fuçi u tregtua me 107 dollarë.

Për këtë situatë ndikoi edhe vendimi i SHBA-ve, teksa Presidenti Joe Biden urdhëroi lëshimi në treg të sasisë më të madhe nga rezervat strategjike të naftës, në një përpjekje për të përballuar kërkesat.

Ndërkohë nga qytetarët shqiptarë blihej më shtrenjtë duke iu nënshtruar vendimit të Bordit të Transparencës.

Edhe ky ent i krijuar si rregullator duket se nuk ka mundur të reagojë në kohë, duke bërë që konsumatorët të mos e ndiejnë rënien e çmimeve.

Peshën më të madhe të kostos e zënë taksat dhe akciza, të cilat qeveria ka vendosur të mos i reduktojë pavarësisht krizës që thotë se ka përfshirë vendin.

Çdo operator i shitjes së karburantit është i detyruar të respektojë këtë vendim në të kundërt organet ligjzbatuese do të aplikojnë gjoba e deri në heqjen e licensës në rast se konsatohet përsëritje e kësaj shkelje.

Çmimi tavan i tregtimit me shumicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë  02.04.2022

-219 Lekë/litri për gazoilin;

-200 Lekë/litri për benzinën;

-103 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Çmimi tavan i tregtimit me pakicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë 02.04.2022:

-231 Lekë/litri për gazoilin;

-212 Lekë/litri për benzinën;

-115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë  1 Prill, deri në datë 2.4.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.