Rritja e çmimeve, Shano: Lufta në Ukrainë justifikim, qeveria të ndërhyjë me instrumentet që ka në dorë
Eksperti i Ekonomisë Dritan Shano, teksa ka komentuar krizën ekonomike në vend është shprehur se lufta në Ukrainë shërben si justifikim se çfarë ka ndodhur më para.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, ai u shpreh se kriza ekonomike në vendin tonë do të vazhdojë për një ose dy vite të tjera.
Ai tha se nuk mund të justifikohet rritja e çmimeve me luftën në Ukrainë.
Dritan Shano: Lufta në Ukrainë shërben si justifikim se çfarë ka ndodhur më përpara. Ne jemi importues neto të të gjitha mallrave që lidhen me ekzistencën e një familje apo individi. Çdo inflacion që shfaqet në partnerët tanë tregtarë, kryesisht në Itali, do të transmetohet në një kohë vonesë në tregun shqiptar.
Në treg ka më shumë para se sa produkte. Në gjykimin tim do të vazhdojmë të kemi këtë krizë për një ose dy vite të tjera. Nuk mund të përdoret Ukraina si një filtër për të treguar që çmimet që po rriten po rriten për shkak të Ukrainës, dhe jo për shkak të qasjes së qeverisë ndaj pandemisë.
Ai tha se qeveria ka disa instrumente në dorë për të ndërhyrë për krizën ekonomike, ndërsa shtojë se bordet që janë krijuar janë një artificë.
Shano shtoi se nuk mund të caktohet çmimi në një ekonomi tregu.
Dritan Shano: Qeveria ka disa instrumente në dorë për t’iu adresuar situatave të ngjashme, instrumente kushtetuese. Këto instrumente që ka qeveria janë taksat, inspektimet dhe marrja borxh. Qeveria ka uljen e taksave, ofrimin e paketave për njerëzit në nevojë.
Bordet janë një artificë, dhe këtu nuk ka njeri që ta kundërshtojë. Në ekonominë e tregut komunikohet vetëm përmes një mekanizimi, mekanizmi të çmimit. Kriza nuk mund të jetë në një cep të ekonomisë, por edhe te ai që shet. Nuk shoh që të kenë pushuar njerëz këta. Të caktosh çmimin në një ekonomi tregu unë e quaj gjë më të paudhë të mundshme dhe një zgjidhje e cila tenton të paprekur fitimin e oligarkëve në tregun oligopol të karburanteve. Kjo duhet të marrë një orë e më përpara.
Përgatiti Anila Kolgjini.
