Efektet e krizës, Sejko: Rritja e çmimeve në tregjet globale, ndikim në familjet shqiptare

Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të lërë gjurmët e saj në bilancet e familjeve dhe bizneseve pavarësisht stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.

Kështu pohoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me delegacionin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, të shoqëruar nga ambasadori britanik në Tiranë.

Sipas Sejkos, me masat e marra dhe ndërhyrjet e institucioneve ekonomia shqiptare do t’i rezistojë edhe kësaj goditje.

Ndër të tjera, ai falenderoi Mbretërinë e Bashkuar për rolin që ka luajtur gjatë periudhës së tranzicionit me mbështetjen me fonde financiare dhe dhënien e ndihmës në ngritjen e kapaciteteve.

Ndërkohë, delegacioni britanik u shpreh se vendi ynë ofron perspektiva interesante investimi në fushën e industrisë financiare, të energjisë dhe të turizmit.