Arapi pranon gabimet në mbrojtje. Josa: Kualifikimi ende 50 me 50
Në Durrës ka zhgënjim për humbjen në gjysmëfinalen e parë me Laçin. Trajneri Renato Arapi e pranon se skuadra vuan në mbrojtje që mbetet pika më e dobët e skuadrës port ha se për të parë finalen, ekipi duhet të fitojë në Laç..
“Do të tentojmë gjithçka në ndeshjen e kthimit. E kishim përgatitur ndeshjen për të qenë të kujdesshëm, goli i pësuar ndryshoi gjithçka sa i përket interpretimit të lojës. Më vjen keq për golin e dytë, pasi e pësuam në mënyrë naive. Është pjesa që kemi punuar më shumë. Me ndërrimet që bëmë jam i kënaqur, me golin e shënuar jemi në lojë për kualifikimin. Duhet të jemi më të qetë, duhet të marrim më shumë përsipër. Me futjen e Sebinos, lojtar me përvojë, reagimi ishte pozitiv. Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse do të duhet ta fitojmë. Kemi kohë për ta përgatitur ndeshjen, nuk duhet humbur besimi, duhet të punojmë shumë. Penalltia? Nuk e di, më duket se ka kontakt te këmba. Hebaj po fokusohet tek topi, ndërsa mbrojtësi i Laçit të sulmuesi ynë”, deklaroi trajneri i Teutës.
Në krahun tjetër, Mirel Josa nuk e shikon si avantazh të madh fitoren pasi kujton atë humbjen me Teutën në shtëpi në kampionat duke shtuar se Laçi do të respektojë çdo kundërshtarë.
“Do ishte më mirë të mos e pësonim atë gol në fund dhe të kundërsulmonim për golin e tretë. Ai gol i jep shpresë Teutës, kualifikimin e shoh 50-50 se më parë kemi humbur në Laç kundër Teutës. Duhet të jemi me këmbë në tokë si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Futbolli nuk shikohet shumë te loja e bukur, por te një ndeshje që duhet shfrytëzuar në maksimum. Jemi në fund të sezonit dhe më intereson që skuadra të gabojë sa më pak, në ndeshjet e kaluara nuk kemi pasur as lojën. Kjo ndeshje mund të na japë një besim në vete, por nuk duhet të mendojmë se fituam sot dhe mbaroi gjithçka pasi ka ndeshje kthimi. Të mos harrojmë çfarë na bëri Teuta në Laç. Të gjithë kundërshtarët duhen respektuar dhe po luanim ndaj kampionëve”, u shpreh trajneri i ekipit kurbinas./Ora News/.
