Duka pret një delegacion nga Afganistani, ofron mbështetje me ambiente, bazë materiale e fusha stërvitore

Një grup prej rreth 150 personash nga Afganistani, ku përfshihen zyrtarë të Federatës Afgane të Futbollit dhe skuadrën e futbollit të femrave, ndodhen aktualisht në Shqipëri.

Ndërsa prite që të transferohen në Kanada, presidenti i FSHF, Armand Duka priti njê delegacion të federatës afgane që kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit, Fazil Mohammad Shahab, të cilët vizituan ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Afgane, punonjës së Federatës si përgjegjësit e marrëdhënieve me publikun, financës, trajneri i skuadrës së femrave, skuadra e futbollit të femrave.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se FSHF-ja do të ofrojë bazën materiale për stërvitje, fusha stërvitore dhe ofrimin e ndeshjeve miqësore me ekipin e vajzave. Gjithashtu, do t’u ofrohen zyra në Shtëpinë e Futbollit për stafin e Federatës së Afganistanit gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri si edhe do të vlerësohen mundësitë e bashkëpunimit dhe komunikimi mes palëve do të jetë i vazhdueshëm

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit e falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë, teksa u shpreh i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin midis dy federatave.

Delegacioni u shoqërua edhe në stadiumin “Air Albania”, ku ndoqën nga tribuna VIP ndeshjen miqësore Shqipëri-Gjeorgji./Ora News/.