Irani rrezikon përjashtimin nga Botërori. A mund të “peshkohet” Italia?!
Irani rrezikon përjashtimin nga Kupa e Botës 2022 në Katar. Arsyeja ka te bëjë me një problem të vjetër që duhej të kalohej por autoritetet me vendimet e tyre e kanë rikthyer në vëmendje.
Sanksionimi i Iranit mund të ndodhë pasi dy mijë gra iraniane, me bileta të rregullta, kanë mbetur jashtë stadiumit dhe janë penguar të ndjekin ndeshjen vendimtare për kualifikimin në Botëror kundër Libanit.
Ndeshja kualifikuese u zhvillua në Maschad, një qytet fetar në veri të vendit dhe ndalimi i hyrjes së femrave në stadium është një rikthim në të kaluarën pasi janarin e kaluar u lejuan të hynin në stadium për të parë ndeshjen kundër Irakut.
Vendimi i atëhershëm erdhi pas një ultimatumi të FIFA-s në shtator 2019, në lidhje me praninë e femrave në stadiume, me Federatën që ishte kërcënuar me përjashtimin e kombëtares iraniane nga garat ndërkombëtare nëse nuk do të ishte bërë.
“Ne po dëgjojmë lajme shqetësuese nga FIFA dhe Konfederata e Futbollit Aziatik”, shkroi në Twitter anëtari i bordit të Federatës Iraniane të Futbollit, Mehrdad Seradschi.
Përjashtimi i Iranit për të mos respektuar këtë vendim mund të ketë pasoja të rënda dhe nuk përjashtohet as vendimi drastik për t’i përjashtuar nga Botërori në Katar. Por kush do t’i zëvendësonte? Zgjedhja e parë do të ishte një vend tjetër aziatik sigurisht.por kujdes nga surprizat. Mund edhe të zgjidhet skuadra me renditjen më të mirë në FIFA që pikërisht është Italia!...../Ora News/.
