Qeveria shmang skandalin e incineratorëve, Ministrat flasin për pensionet e gjuetinë

Një ditë pasi SPAK firmosi urdhër arrestet për incineratorin e Fierit dhe Elbasanit, qeveria duket se ka harruar deputetin Alqi Bllako dhe ish-ministrin Lefter Koka. Ulsi Manja thekson se ia ka lënë çështjen SPAK, ndërsa ministrat e tjerë flasin për rritje pensionesh dhe ndalim të gjuetisë së shpendëve.

Skandalet e incineratorëve me miliona euro abuzime duket se nuk e kanë shqetësuar qeverinë, së paku në komunikimin publik.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, anëtarët e kabinetit iu rikthyen sërish deklaratave për të sqaruar vendimet.

Ulsi Manja deklaroi miratimin e dy konventave të Këshillit të Evropës, por sa i përket kërkesës për arrestimin e deputetit Bllako preferoi të heshtë.

Manja: Qëndrimi im është i qartë, çështjet që janë të drejtësisë i takojnë vetëm drejtësisë, kushdo që shkel ligjin përgjegjësia penale është individuale. Ne inkurajojmë drejtësinë për të kryer hetime të shpejta dhe objektive për çështje sensitive dhe që i përgjigjen interesit publik.

Pikërisht një ditë pas firmosjes së urdhër arresteve për koncesionin e Fierit dhe Elbasanit ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi rritjen e pensioneve në bazë të normës së inflacionit.

Ibrahimaj: "Një nga masat që është parashikuar në këtë akt normativ dhe në projektvendimin që sot sapo kaluam është indeksimi me 3.3% i pensionit për të gjitha kategoritë e pensioneve. Kjo ka një efekt në buxhet prej 3.3 miliardë lekësh."

Ministrja Kumbaro nga ana tjetër nënvizoi rëndësinë e monatoriumit të gjuetisë, duke e tejkaluar kështu vijën e kuqe të hetimeve të mbi 48 milion eurove të incineratorit të Fierit dhe Elbasanit dhe të 128 milionë eurove në Tiranë.

Kumbaro: "Kemi një ndalesë pothuajse totale, aktivitetit gjuetar edhe nga gjuetarë të huaj dhe duhet ta pranojmë në kohën që nuk k qenë ky moratorium, jo vetëm që vinin në mënyrë të shpeshtë për të gjuajtur por edhe përdornin mjete të paligjshme të gjuetisë të cilët çojnë në fakt në shuarjen e disa specieve".