Të shtënat me armë drejt BMW-së në Elbasan, zbulohet emri që dyshohet se ju bë atentat
Ora News zbulon emrin që dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit në Elbasan pasditen e sotme, 29 mars.
Dyshohet se bëhet fjalë për Talo Çelën, një emër i njohur për policinë.
Sipas burimeve, "zërat që brenda në mjet mund të ketë qenë i shumëkërkuari Talo Çela policia ende nuk i konfirmon, por as i mohon."
Të shtënat me armë u raportuan rreth orës 17:35 në aksin rrugor Elbasan-Peqin, tek kryqëzimi i "Urës së Zezë". Ndërsa BMW që ishte në shënjestër u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes e braktisur.
Burime nga policia e Elbasanit bëjnë me dije se brenda mjetit të braktisur është gjetur një krehër kallashnikovi, por nuk janë gjetur gjurmë dhe njolla gjaku.
Fakti që targat e BMW rezultojnë të vjedhura e bën të vështirë identifikimin e personit brenda në mjet.
Burimet kanë dyshime se personat që udhëtonin në mjetin tip BMW mund të kishin planifikuar një atentat, por janë pikasur.
Paraprakisht dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri mes dy personave të shumë kërkuar nga policia e Elbasanit.
Po kush është Talo Çela?
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të dy vëllezërve Haxhia në Durrës.
Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.
Për vrasjen e dy vëllezërve janë 22-vjeçari Klevis Alla, që bashkëpunoi me policinë duke treguar se ku kishin hedhur armët e krimit të përdorura në atentatin ndaj vëllezërve Haxhia dhe Altin Ndoci. Ndërsa në këkrim janë Talo Çela dhe Nuredin Dumani.
Por në një intervistë televizive nga arratia, Talo Çela hodhi poshtë çdo akuzë duke e quajtur veten të pafajshëm.
