Urdhër-arresti për Alqi Bllakon, deputeti falsifikoi letrat e tokës së incineratorit në Fier dhe favorizoi kompaninë

Prokuroria kërkon arrestimin e deputetit të PS Alqi Bllako me akuzën e falsifikimit të dokumenteve të shpronësimit të tokës ku u ndërtua incineratori i Fierit. Sipas SPAK, e cila ka kërkuar në Kuvend autorizimin për prangosjen e deputetit, i zgjedhuri i PS-së ka favorizuar kompaninë e incineratorit në kohën kur punonte në Ministrinë e Mjedisit. Në këmbim Alqi Bllako ka përfituar në formë ryshfeti një apartament me vlerë 144 mijë euro, i cili është vendosur në sekuestro nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme SPAK, kërkon arrestimin e deputetit të PS-së, Alqi Bllako, i cili akuzohet në mënyrë direkte se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 14 milionë lekë të reja nga incineratori i Fierit.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021 fajësohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.

Nga hetimet kanë rezultuar veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.

Mbi bazën e këtij dokumentacioni, qeveria në datë 28 dhjetor 2016, ka vendosur shpronësimin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë.

Dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit në këtë rast është në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. 

I sekuestrohet apartamenti 

SPAK thotë në dosje se, Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.

Pas zbardhjes së këtij fakti, SPAK ka kryer hetime dhe ka vendosur nën “sekuestro preventive” apartamentin në zotërim të shtetasit me iniciale E. B., me sipërfaqe 99.48 m2, në Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro.

Kjo shumë sipas SPAK, përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.