Incineratori i Elbasanit, sekuestrohet pasuria 2 milion euro. Arrestohet kryetari i komisionit në hetim dhe anëtarët
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur sekuestro preventive për një pasuri të paluajtshme me vlerën e 2 mln eurove në kuadër të hetimit të dosjes për incineratorin e Elbasanit.
Bëhet fjalë për 14 apartamente, 3 njësi tregtare, 1 truall dhe 8 shoqëri tregtare.
"Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara dyshohet se përbëjnë produkt të veprave penale për të cilat po ushtrohet ndjekja penale, ndërsa shoqëritë tregtare të sekuestruara dyshohet se kanë shërbyer dhe janë përdorur si mjete për të realizuar veprat penale. Vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara është rreth 2,000,000 Euro" thuhet në njoftimin e sotëm të SPAK.
SPAK thotë se janë mbledhur prova dhe janë krijuar dyshime të arsyeshme, se anëtarët e komisionit për dhënien e konçensionit, - kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k - kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim.
Të arrestuar si persona nën hetim
Pëllumb Abeshi, Kryetar komisioni për dhënien e koncesionit i cili atëherë mbante edhe detyrën e drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.
Bardhul Çabiri, anëtar i komisionit për dhënien e koncesionit si përfaqësues i bashkisë së Elbasanit.
Ndaj tyre më 27 mars 2022 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka dhënë masën e sigurimit personal “arrest në burg” si të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Arrest shtëpie
Nën hetim nën masën e sigurisë "arrest shtëpie" janë Serafin Papa përfaqësues i Bashkisë Elbasan në këtë komision. Etleva Kondi nga ministria e Energjitikës, Jonida Zeqo nga ministria e Mjedisit. Ata akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar
Masat e sigurive për këta persona u morën më 27 mars 2022 ndërsa janë ekzekutuar më 29 mars 2022.
Në sekuestro preventive
Në kuadër të hetimeve për aferën e incineratorit të Elbasanit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme
14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²;
3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²;
1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²;
8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.
SPAK informon se janë duke u kryer veprimet e nevojshme për ekzekutimin e masave të sigurimit për shtetasit e tjerë dhe për vënien në administrim të Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të pasurive për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.
Hetimet prej 2020
SPAK ka vijuar hetimet në lidhje me proçedimin penal nr.277 viti 2020, që bën fjalë për proçedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate konçensioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k.
Si u dha koncesioni
Më 11 gusht 2014, kompania “Albtek Energy” i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit me një kërkesë për shprehjen interesit për konçesion në mënyrë vullnetare.
Kompania e specifikoi, qartë se kërkon të ndërtojë një incinerator në qytetin e Elbasanit me një vlerë prej 22 milion euro.
Shtatë ditë më pas bashkia e Elbasanit që drejtohej nga Qazim Sejdini, shpalli emergjencën mjedisore në fushën e menazhimit të integruar të mbetjeve të qytetit.
Me urgjencë në 14 tetor 2014 ministria e Mjedisit ka urdhëruar ngritjen e komisionit për dhënien e konçesionit për ndërtimin e incineratorit Elbasan.
Kryetar komisioni ishte Pëllumb Abeshi, drejtor i Përgjithshëm në Ministri, Zamir Stefani nga ministria e Ekonomisë, Etleva Kondi nga ministria e Energjitikës, Jonida Zeqo nga ministria e Mjedisit, Lediana Karalliu nga ministria e Mjedisit, Bardhul Çabiri dhe Serafin Papa nga bashkia Elbasan.
