Baresha e Finiqit, Çakuli 35 vite mes bagëtive e maleve: Asnjë ndihmë nga shteti

Është vrapi i çdo dite.

Bareshë prej më shumë se 30 vitesh Miranda Çakuli del nga shtëpia me lindjen e diellit e kthehet pas perëndimit të tij.

Rrethanat i kanë diktuar një zanat jo të zakontë për të si grua.

Prej kur shkoi në derën e burrit nuse në Finiq, në moshën 20 vjeçare, e deri sot çdo ditë te jetës e ka kaluar mes bagëtive.

“Kjo punë që bëj unë është për burra nuk është për gra, por nga e keqja do ta bëjnë edhe gratë.”

Mes fushave e maleve, në mes të diellit apo shiut, vështirësitë kanë qenë të shumta por Miranda thotë se këtë punë e dashuron.

“Mezor nuk mund të bësh kaq vite të njëjtën punë, më pëlqen që e bëj.”

Këto bagëti kanë qenë i vetmi burim të ardhurash. Me to ka mbajtur shtëpinë e po shkollon tre fëmijët.

“Ditë natë punojmë dhe nuk ia dalim dot motër, dhe fëmijët ashtu i rrisim me gjak. “

Jo pak herë i është rrezikuar jeta por sërish nuk është dorëzuar.

“Kam parë ujqër. Më doli para 4 ditësh, më mori dhitë përpara.”

Thotë se nëse shtetit do e ndihmonte sado pak do ta kishte më të lehtë përballimin e jetës në fshat.

“Të kesh tre fëmijë dhe t’i ushqesh vetëm me dele pa asnjë të ardhur, pa asnjë ndihmë. Dua që shteti të më jap vetëm atë që më takon.”

Orët e gjata e të lodhshme pas bagëtive, vështirësitë e sakrificat e shumta nuk ia kanë dalë t`ja zbehin buzëqeshjen e optimizmin Mirandës, e cila është vendosur t`ja dedikojë gjithë jetën bagëtive.