Kriza energjitike/ Fierza "vdiq", HEC-i ndalon prodhimin e energjisë, shpresë te "plakat e prillit"
Kjo ishte pamja e Hidrocentralit të Fierzës këtë të dielë të fundit të marsit.
Baseni më i madh në kaskadën e Drinit është vetëm pak metra larg pikës së vdekjes.
Liqeni sipas të dhënave është në nivelin 247 metra nga 240 m që është kuota minimale.
Të dhënat nuk janë zyrtare, por pamjet nuk lënë vend për koment.
4 turbinat kanë ndaluar punën.
Prej katër ditësh në Hidrocentralin e Fierzës nuk prodhohet energji.
Ndërsa në Hidroncentralin e Komanit, i dyti në radhë, mësohet se punon vetem një turbinë.
Autoritetet janë me sytë nga qielli për shi dhe nga Maqedonia e Veriut nga vjen i vetmi lajm i mirë në mes të krizës.
Qeveria atje ka hapur portat e liqenit të Ohrit për nevojat e veta.
Kjo ka bërë që prurjet në pjesën shqiptare të Drinit të shkojnë në 100 metër kub ujë për sekondë.
Me këtë ritëm prurjesh dhe pa prodhuar energji, niveli i Fierzës rritet me një centimetër në orë.
Tre ditë më parë, prurjet ranë në 80 metër kub për sekondë dhe ulja e ndjeshme e nivelit të liqenit nxorën mbi ujë Kukësin e Vjetër.
Hera e fundit që rrënojat ishin parë, ishte në mes të krizës së madhe energjetike të vitit 2017.
Në këto kushte, duket se furnizimi me energji do të varet nga importi të paktën edhe për javët në vijim.




