I arrestuari vdes në komisariat, Softa: Duhet të kishte një dorëheqje e më pas të fillonin hetimet
Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedent ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, 26 mars, në komisariatin nr 5 në zonën e Kamzës në Tiranë.
Si pasojë e një zjarri në ambientet ku mbahen personat e ndaluar brenda institucionit të policisë, ka humbur jetën Arben Mici, 26-vjeç ndërkohë të plagosur kanë mbetur edhe një punonjës policie dhe një person tjetër i ndaluar.
Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa, në një intervistë për Ora News, teksa e ka cilësuar si një ngjarje të paprecedentë shprehet se kjo ka ndodhur për shkak të disa faktorëve, ku ndër të cilët ka përmendur papërgjegjshmërinë ee personave që bëjnë këtë detyrë, si dhe mungesa e sistemeve të sigurisë.
Ai thotë se policët nuk dinë të përdorin mjetet e shërbimit të zjarrfikësit.
Fatjon Softa: Është një situatë e paprecedentë sepse ka ardhur nga disa faktorë. Faktori i parë është papërgjegjshmëria e personave të cilët e kanë dhe e kryejnë këtë detyrë, e dyta është mungesa e sistemeve të vëzhgimit të cilët janë për të parandaluar ngjarje të tilla, e dyta është për të evidentuar dhe e treta është për t’I arsyetuar, që në rastet kur ka problem ato të shërbejnë si element, për të pasur një anshmëri në gjykim, qoftë për forcat e policisë, qoftë dhe për ngjarjet që mund të ndodhin. Është mungesa e sistemeve të mbrojtjes dhe sistemeve të sigurisë. Sistemet e mbrojtjes kam parasysh sistemin e mbrojtjes nga zjarri. Janë sensorët, e dyta është monitorimi që duhet të kishte ndërhyrje dhe e treta është rasti i mungesës së profesionalizmit që nuk dinë të përdorin mjetet e shërbimit zjarrfikësit. Kjo është e pafalshme.
Ai thotë se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, duhet të kishte patjetër dorëheqje e më pas të vazhdonin hetimet.
Fatjon Softa: Policia nuk mund të jetë pjesë e pakujdesisë, por duhet të jetë pjesë e rregullave strikte. Strukturat e shtetit duhet të ishte model.
Për këtë ngjarje minimalisht duhet të kishim dorëheqje, dhe pastaj të nisnin hetimet. Nuk mund të bësh edhe hetim edhe të jesh në detyrë. Kjo gjë nuk përfundon të polici. Polici është hallka e fundit e një strukture policore. Nuk mjafton të merret një masë, ndaj një shefi, komisariati, ndaj një drejtuesi, por kjo duhet parë në të gjitha hallkat e shërbimit të policisë. Shteti dhe struktura funksionojnë njësoj, nuk ka rëndësi qyteti apo vendi ku punojnë.
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.
