A e mund dot PD Edi Ramën pa mbështetjen e SHBA? Berisha: Në '98-ën kisha botën kundër dhe fitova

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka bindjen se mund ta sjellë PD-në në pushtet, edhe duke qenë non grata nga SHBA.

Pa mbështetjen e SHBA a sigurohemi që ne do ta mundim Edi Ramën?

Berisha: Ju më pyesni a fiton PD me Sali Berishën në krye? Unë them fiton. Në 1998, më vjen keq ta them, por kam pasur botën kundër dhe kemi fituar. Fitova se besova te e drejta, nuk kam asnjë fuqi të veçantë. Për një kauzë të drejtë luftoj deri në fund. Besoj se do të fitojmë por kushdo të vijë të garojë me mua është i mirëpritur. Po nuk fitova do respektoj vendimin por po fitova dhe në zgjedhjet lokale humbas do të vijë të votohem te ju. Po humba zgjedhjet e përgjithshme kryetari cilidoqoftë unë apo një tjetër nuk do të votohet dot më, do japë dorëheqjen dhe të hapë garën për të tjerët.

Në Foltoren me demokratë të Tepelenës, ai tha se Sekretari amerikan i Shtetit i ka cënuar dinjtetin pa asnjë provë dhe fakt dhe si shpagim pranon vetëm falje publike.

Berisha: Më ka cënuar dinjitetin pranoj vetëm të falur publikisht, asgjë tjetër. Po të kthehesh në kodet morale të njerëzve të qytetëruar por dhe të shqiptarëve po qe se i dhunoje nderin apo dinjitetin mënyra e vetme e shpagimit ka qenë ndjesa, më parë ka qenë pushka, për mua është pena. Për këto arsye nisa betejën. Unë asnjë betejë nuk e nis i sigurt 100% se do ta fitoj, çdo betejë e kam nisur i sigurt se do ta humbas me pasojat më fatale.

Berisha sërish foli për dy Amerika ndërsa nënvizoi se sulmi ndaj tij kishte qëllim të vetëm që PD-në ta shndërronte në shtojcë të Partisë Socialiste.

Berisha: Ka dy Amerika, ka një Amerikë që më ka shpallur non grata dhe në këtë Amerikë kam pasur rastin ti njoh nga i pari i tyre te nëpunësi më i thjeshtë dhe si kam kërkuar kujt kurrë të heqë këtë vendim sepse u ndikua nga Soros, armik i egër i demokracisë shqiptare dhe kombit shqiptar me projektin që bëri në veri të Kosovës. Ka një Amerikë tjetër, Amerika republikane, Amerika e asaj partie të madhe me të cilën është rreshtuar PD. Ajo Amerikë e cila në një kohë të shkurtër i është përgjigjur me njeriun më të informuar të saj se vendimi ndaj Sali Berishës është kryekëput politik. "Unë i kam parë dosjet e poltikanëve të Ballkanit dhe për Sali Berishën nuk ka pasur asgjë" ka deklaruar. Ky njeri nuk merrte kurrë përsipër të bënte një deklaratë të tillë po të mos ishte 100% i sigurt, sepse ka një karrierë brilante përpara. Minimumi po fituan republikanët ai do të jetë Sekretar Shtetit, por mund të ketë dhe një post më të lart se aq. Ka dhe një Amerikë tjetër në Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan, kongresmeni republikan i tha në sy Sekretarit të Shtetit se vendi yt vjen nga hiçi se ne kemi bërë hetime dhe për nuk ka asnjë akuzë apo fakt. Është bërë publike. Janë me dhjetëra artikuj të kësaj natyre. Pse u godit Sali Berisha? U godit vetëm për tu bërë PD shtojcë e PS. Por ne shtojcë nuk bëhemi.

Ish-kryeministri nuk la pa komentuar edhe heqjen e dyerve të blinduara në selinë blu gjatë këtyre ditëve, që Basha ua la trashëgimi demokratëve para se të jepte dorëheqjen si kryetar.

Berisha: Kanë qenë shumë të vështira këto dy ditë, ku priten dyer. Vetëm, procese psiqike mund të shtyjnë njerëzit të veprojnë në atë mënyrë.