Legalizohen 602 pasuri, Lame: Zona e Lumit të Tiranës ka qenë një hartë me vrimë

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame ka shpërndarë certifikatat e pronësisë për 562 banesa në të dy anet e Lumit të Tiranës. Procesi ka pasur vështirësi për shkak të mungesës së hartës se pronave.

Kadastra ka finalizuar procesin e legalizimeve të banesave përgjatë Lumit të Tiranës, zone e konsideruar si nje nga më problematiket të kryeqytetit, pasi në ZRPP e dikurshme ajo nuk ka qenë në asnjë hartë.

"Hartat me vrimë janë që është një zonë kadastrale që mbaron këtu, zona tjetër fillon andej dhe mnbaron këtu dhe midis dy zonave ka një zonë që nuk është në asnjë hartë. Kjo ka qenë një zonë e tillë, nuk ishte në asnjë hartë."

Duke qenë se për këtë zonë të njësisë 11 zyra e Kadastrës nuk ka trashëguar hartografi, ligji i legalizimeve dhe regjistrimi i banesave të ndërtuara me leje përpara vitit 1990 nuk është zbatuar.

Për kreun e Kadastrës, përmirësimi hartografik është halli më i madh i këtij institucioni, problematikë që në shumë raste sjell vonesa për qytetarët.

"Nuk jepeshin dot as leje ndërtimi, nuk bëheshin dot legalizime dhe as nuk lëshoheshin dot certifikata toke. Erdhën ekipet tona të hartografisë, u bë harta e zonës."

Lame sqaroi banorët se kjo zonë iu nënshtrua rilevimit topografik dhe më pas edhe procesit të regjistrimit fillestar për t’i dhënë zgjidhje 602 pasurive të kësaj zone.