Të arrestuarit i vunë zjarrin komisariatit të Kamzës, arrestohen dy efektivë, në hetim 3 të tjerë
Dy efektivë të komisariatit të Kamzës kanë rënë në pranga dhe 3 të tjetër janë në hetim lidhur me zjarrin e një nate më parë në këtë komisariat ku si pasojë e asfiksisë humbi jetën një i paraburgosur dhe u plagos një tjetër sëbashku me një efektiv.
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë bën me dije se në bashkëpunim me ekspertë kriminalistë dhe ata zjarrfikës, nën drejtimin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka zhvilluar hetime paraprake për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në ambientet e paraburgimit të Komisariatit Nr. 5, Tiranë.
Pas hetimeve paraprake, janë krijuar dyshime të bazuara në fakte dhe prova ku si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të punonjësve të Policisë të këtij komisariati, të cilët nga pakujdesia dhe në kundërshtim me procedurat standarde dhe rregullat teknike të trajtimit të personave të ndaluar dhe arrestuar, kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga shtetasit e arrestuar Arben Mici dhe Dilaver Idrizi, të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente.
Në përfundim të hetimeve paraprake janë arrestuar në flagrancë, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, punonjësit e policisë:
1. Inspektor Fatmir Isufi, 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë;
2. Inspektor Hajredin Boja, 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.
Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave dhe moskryerjen e veprimeve për parandalimin e ngjarjeve të rënda të kësaj natyre, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, janë proceduar në gjendje të lirë edhe punonjësit e policisë:
- Inspektor Lutfi Muça, 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë;
- Inspektor Mark Marashi, 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë;
- Komisar Ylli Çollaku, 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.
Nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë qëllim vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, përcaktimin e saktë të vatrës së zjarrit dhe mjeteve që kanë shërbyer për vënien e zjarrit në ambientet e brendshme të dhomave të paraburgimit të këtij Komisariati, nga ekspertët e shërbimit zjarrfikës, ndërsa grupi hetimor vijon edhe gjatë ditës së sotme këqyrjen e vendit të ngjarjes për mbledhjen e provave.
Nga zjarri i një nate më parë humbi jetën në spital Arben Mici, 26 vjeç banues në Cerkezë, i arrestuar si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa kanë mbetur të lënduar (jashtë rrezikut për jetën) shtetasit Dilaver Idrizi 62 vjeç, i arrestuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë, si dhe punonjësi i policisë, Hajredin Boja.

