“Shteti bashkëfajtor në dhunë”, motrat Ruko pas sulmit fizik: Denisi fenomen, ka qindra si ai në rrugët e Tiranës

Ky është momenti kur Albina dhe Mirela Ruko dhunohen fizikisht në mes të ditës në një prej rrugëve të Tiranës.

Agresori Denis Talo u vu në pranga pak orë pas sulmit të ditës së shtunë.

Por ky nuk është rasti i parë kur 30-vjeçari dhunon pa arsye qytetarët.

Motrat Ruko treguan të dielën në një deklaratë të mbajtur para Drejtorisë së Policisë momentet e sulmit dhe dëmtimet e pësuara.

"Menduam se ishte dikush që u nxeh momentalisht, por pamë se ky është rast i përsëritur."

"Kemi dëmtim e kryesisht në pjesën e kokës se aty ka qenë gjuajtja më e madhe."

Dhunuesi ka përfunduar dhe më parë në prangat e policisë por ja ka dalë të fitojë lirinë sërish.

Policinë, gjykatën dhe prokurorinë Albina dhe Mirela Ruko i bëjnë bashkëfajtorë në dhunën e ushtruar ndaj tyre.

"Kishte 8 kallëzime në polici dhe personi ishte akoma i lirë".

"Instituciont janë përgjegjëse dhe fajtore për këtë rast.Denisi është fenomen. Ke me qindra njerëz të tjerë në rrugët e Tiranës që bëjnë të njëjtën sjellje."

Rezulton se Denis Talo është denocuar disa herë në polici për sulme të dhunshme ndaj qytetarëve të Tiranës.

Por pavarësisht kallëzimeve dhe rrezikshmërisë së lartë ai është endur i lirë rrugëve të kryeqytetit duke u kthyer në një kërcënim veçanërisht për gratë e vajzat.

Aktivistë të Organizatës Politikë, pjesë e të cilës janë edhe motrat Ruko, apeluan institucionet të mos tolerojnë dhunuesit.