Asnjë rast i ri me gripin e shpendëve në 24 orët e fundit
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, deklaroi sot se gjatë 24 orëve të fundit nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar me gripin e shpendëve.
"Në 24 orët e fundit nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar, nuk kemi vatra të reja infeksioni, nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar. Ndërsa vazhdon monitorimi i vazhdueshëm në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve mbi situatën epidemiologjike të shfaqjes së influencës aviare me qëllim marrjen e masave kufizuese për importin në vend".
Zëvendësministrja, Ermira Gjeci, në një konferencë për shtyp, tha se AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
"Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. U kemi kërkuar bashkive bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje në zbatim të urdhrit Nr.131, datë 25.3.2022 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”.
Sipas saj, vazhdon procesi për fuqizimin e flotës së veterinerëve zyrtarë.
"Jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë territorit, vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara".
Zv/ministrja Gjeci siguroi konsumatorët se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta.
"Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit. U bëjmë me dije shtetasve shqiptarë që në rast të dyshimit se kanë shpendë të sëmurë në oborret e tyre të kontaktojnë menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefonojnë falas në numrin e gjelbër 0800 33 66".

