Berisha nga Tepelena: PD ka nevojë për bashkimin si zogu për ajrin, të mobilizojmë energjitë kundër regjimit

Pas betejës ligjore të fituar në Gjykatën e Tiranës, Sali Berisha nuk ka ndërmend të humbë kohë por ka nisur punën për bashkimin e demokratëve.

Mesditën e  sotme ai u ndal në Tepelenë nga ku theksoi rëndësinë jetike që ka PD që të bashkohet për të bashkuar energjitë kundër regjimitmë të rrezikshëm.

Berisha: Sot PD siç ka nevojë zogu për ajrin ka nevojë për bashkimin e saj. Ka nevojë që çdo anëtar, mbështetës të lërë mënjanë çdo zemërthyerje, të bashkoheni, të mobilizojmë energjitë tona për një betejë të rëndësishme që na pret përpara, betejën me regjimin më të rrezikshëm, regjimin që e bazon veprimtarinë e tij në vjedhjen dhe krimin, regjimin të cilin kriza po e nxjerr çdo ditë para shqiptarëve se çfarë fatkeqësie përfaqëson për ata. Në një kohë kur nafta në Ukrainë që lufton është pothuajse një euro më lirë sesa në Shqipërinë mijëra kilometra nga lufta. Prania sot këtu e kryetarit të Grupit të Rithemelimit, prania e demokratëve që deri dje kanë pasur edhe qëndrime nga njëri-tjetri është një mesazh i shkëlqyer.

Berisha deklaroi se sot regjimi është në revansh të plotë dhe ja arriti me mekanizma joligjorë të ndikojë në krizën e PD, duke mos respektuar  asnjë parim të demokracisë.

Berisha: Një qeveri padiskutim që punon dhe i bën shërbime pushtetit të vet por është e detyruar të ruajë rregullat bazë të sistemin demokratik. Rregulli bazë i sistemit demokratik është respektimi i opozitës dhe jo përpjekja çnjerëzore për manipulimin  esaj.

Sipas Berishës, vendi ndodhet në situatën më të vështirë.

Berisha: Është e vërtetë që ka një agresion barbar ndaj një vendi të lirë që po qëndron në mënyrën më heroike jashtë të gjithë parashikimeve.Sigurisht që kjo luftë ka krijuar çrregullime të pamohueshme në treg por ato në Shqipëri janë bërë më të zeza se në çdo vend tjetër të Europës. Pse ne çdo situatë e vështirë na bëhet shumë herë më e rëndë. Të marrim epideminë e Covid, ishte botërore por në Shqipëri u mori jetën mbi 20 mijë e ca qytetarëve dhe qeveria mashtron me 3400. Nuk ishte sistemi ynë i tillë sa të kishim  këtë vdekshmëri.Këtu Urgjenca u shndërrua në një lloj selektori i cili dënonte njerëzit me vdekje duke i lënë në shtëpi pa mjekim. Tani qeveria ka veshur lëkurën e qingjit dhe dalin nëpër dyqanet ministrat me kryeministrin gjoja po merren me çmimet dhe qajnë hallin tuaj. Energjia në Shqipëri ka koston më të ulët në Europë se prodhohet e tëra nga uji. 2/3 e saj prodhohen nga Hidrocentralet që e kanë nxjerrë veten 10 herë, nuk ka asnjë lidhje me naftën dhe gazin.