Zjarri në Komisariatin 5: Humbi jetën djali i arrestuar se dhunoi nënën, shpëtoi burri që hodhi gruan nga ballkoni, dhe polici
Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedent ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës, 26 mars, në komisariatin nr 5 në zonën e Kamzës në Tiranë.
Si pasojë e një zjarri në ambientet ku mbahen personat e ndaluar brenda institucionit të policisë, një shtetas i arrestuar ka mbetur i vdekur ndërsa janë asfiksuar edhe dy të tjerë, një i ndaluar dhe një punonjës i policisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.30 ndërsa ende nuk ka një deklaratë zyrtare për shkakun e zjarrit, nëse ka qenë aksidental apo një vatër e qëllimshme nga personat e ndaluar me qëllim arratisjen.
Burimet zyrtare thanë për Ora News se shtetasi Arben Mici, 26 vjeç, banues në Çekrezë ka humbur jetën në spital.
Ai ndodhej i arrestuar në qelitë e komisariatit nr.5 ku si pasojë e djegieve nga rënia e zjarrit dhe vështirësive në frymëmarrje nga tymi, është dërguar në spital.
Megjithë përpjekjet e mjekëve i arrestuari nuk ka arritur të mbijetojë duke humbur jetën rreth orës 22.30 të së shtunës.
Viktima Arben Mici ishte arrestuar nga policia me akuzën e dhunës në familje pasi kishte goditur nënën e tij, e cila më pas e denoncoi në organet e rendit.
I ndaluari tjetër Dilaver Idrizi, 62 vjeç, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën pasi është asfiksuar nga tymi.

Ai ishte arrestuar tri ditë më parë me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj bashkëshortes, të cilën e shtyu duke e hedhur nga ballkoni i katit të tretë.
Po kështu shtetasi Hajredin Boja, punonjës i policisë, i asfikuar brenda komisariatit mësohet se është jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në spital.
Flakët në komisariat janë shuar vetëm rreth orës 23.00 ndërsa nga policia thuhet se nuk ka pasur rrezik për persona të tjerë brenda institucionit.
Grupi hetimor pritet të vëzhgojë ditën e sotme provat për shkakun e zjarrit ndërsa do të mbahet edhe një evidencë për prova materiale, dosje policore apo të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me punën e policisë që mund të jenë dëmtuar nga flakët.

Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 26.03.2022, në Kamzë, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr dhe si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit e ndaluar A. M., D. I., dhe punonjësi i policisë H. B.
Shtetasi A. M., ka ndërruar jetë në spital.
Me ndërhyrjen e zjarrfikëseve dhe të punonjësve të Policisë të Komisariatit Nr. 5, zjarri u shua.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
