Marubët “zbulojnë” veten, ekspozohen mjetet e punës së dinastisë së fotografëve
Për herë të parë në një ekspozitë në Muzeun Marubi në qendër nuk janë imazhet, por aparaturat dhe fotografët që i realizuan. Dinastia e fotografëve që përjetësoi personazhe dhe historinë zbulon kështu veten.
Këto janë disa nga aparaturat origjinale dhe solucionet me të cilat pinjollët e familjes Marubi përjetësuan personazhe dhe pjesë të historisë së Shqipërisë.
Si rrallë herë janë bërë objekt i një ekspozite në Muzeun Kombëtar të Fotografisë në Shkodër.
Ekspozita e kuruar nga Orestia Kapidani, nxjerr në pah objekte të trajtuara e të prekura nga fotografët e koleksionit të cilat ruhen në arkivin e Muzeut.
Vizitorët vihen përballë një raporti fizik-emocional që i ktheu pas në kohë, 1 shekull më parë, atëherë kur nisi punën kjo studio.
Pjesë e ekspozitës janë edhe disa imazhe të Gegë Marubit dhe pasardhësve të kësaj familje, në momente pune brenda mjediseve të studios.

