Berisha “i shpall luftë” Ramës: Vendi po shkatërrohet, PD do të udhëheqë protestat

Ende pa u ulur në karrigen e kryetarit Partisë Demokratike, Sali Berisha rikthen sinjalet e një opozite të fortë ndaj mazhorancës qeverisëse. Në daljen e parë publike pas vendimit të Gjykatës, Berisha bëri thirrje për protesta të fuqishme në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, ai i bëri thirrje demokratëve që tashmë të bashkohen për të mirën e kombit.

Në konferencën e parë për mediat pas vendimit të Gjykatës, e cila i dha të drejtë lëvizjes së tij, Berisha deklaroi nga selia blu se Komisioni i Rithemelimit është i përkohshëm.

Berisha deklaroi se tani Partia Demokratike do të udhëheqë protestat qytetare për rritjen e çmimeve.

"Situata po kërkeqësohet çdo ditë, i keni para ata që veshin lëkurën e qingjit dhe shkojnë në dyqane për të derdhur lot krokodili për rritjen e çmimeve, kur janë vetë shkaku kryesor. U bë një valë protestash, populli pret valën tjetër dhe ajo do udhëhiqet nga PD. E vlerësoj shumë atë që bëri shoqëria cvivile, por e jona do të jetë një betejë më e fuqishme."

Lideri historik i PD-së tha se kjo parti është në betejë me Edi Ramën pasi vendi po shkatërrohet çdo ditë.

"Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe demokratët dhe nuk është një ditë e mirë për Edi Ramën. Është një ditë e opozitës, e cila është tashmë e gatshme për një betejë të suksesshme."

Berisha i ka bërë thirrje të gjithë demokratëve dhe demokrateve ti shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit.

"Do diskutoj me çdo demokrat dhe demokrate që dëshiron dialog, debat dhe do të kontribuojë në procesin e bashkimit.Ne nuk përjashtojmë asnjeri."

Berisha tha se Basha është deputet dhe mund të bëjë takime ku të dojë dhe si të dojë, madje dhe ai vetë do ketë takime me të.

"Nuk kam pse ti them më atij deputeti brava, do ti them deputeti Basha."

Ndër të tjera, ish-kryeministri Berisha u shpreh se çdo demokrat mund të kandidojë për çdo post që dëshiron.

Ai tha se disa prej tyre i kanë kërkuar që procesi i zgjedhjeve për krerët e degëve të shtyhet nga data 3 në 20 prill.