Alibeaj nuk lëviz nga karrigia e kryetarit të PD: Derisa të flasë gjykata institucionet janë këto. Basha i mori kusuret, të ikë dhe Berisha

Enkelejd Alibeaj mbetet i vendosur për të qëndruar në karrigen e kryetarit të komanduar të PD deri në një vendimmarrje nga Gjykata e Apelit lidhur me regjistrimin e statutit të Berishës, i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit.

Ndërkohë politikisht qëndrimi i tij mbetet i palëkundur se Berisha duhet të bëjë pas si Basha.

Në po të njëjtën karrige ishte zoti Berisha, është një mesazh se nuk do të tërhiqeni nga posti i kryetarit, ndonëse i komanduar?

Alibeaj: Vendimi i sotëm, nuk ndryshon asgjë rreth ekzistencës, relevancës së institucioneve të PD. Kur gjykata të flasë në fund pasi ne të bëjmë ankimin përkatës dhe bashkë me të dhe kallëzimin penal për shkeljet ligjore të pretenduara nga ana jonë institucionet e PD janë këto që janë. Unë jam në këtë karrige si një nga nënkryetarët e PD, kryetar i grupit parlamentar. E dini se dy nga kolegët e mi u tërhoqën nga posti i tyre.

Zonja Tabaku nuk e pranoi atë që statuti i PD thotë, do respektoj deri në fund vullnetin e demokratëve të shprehur dhe mishëruar te statuti i tyre dhe rregullat e brendshme të PD. Ky është qëndrimi juridik. Për atë politik isha i qartë. PD, demokratët pas 30 viteve nuk mund të synojnë të ardhmen duke parë nga e shkuara, nuk mund të synojnë të ardhmen duke pasur përballë kundër një skenar që kjo parti dhe kur u krijua nuk kishte si ta imagjinonte kundër SHBA dhe vlerave të demokracisë.

Bashkimi kalon nga një akt i vetëm, një akt simetrik, siç ndodhi me Bashën duhet të ndodhë dhe me Berishën. Kërkesa është bërë disa herë. Të gjithë deputetët te kjo pikë kanë qenë të qartë. Ajo që konsiderohet si 9 shtatori i referohet faktit të qenit non grata bashkë me faktin tjetër se Berisha nuk ka qenë anëtar i grupit parlamentar të PD.

Secili deputet ka thënë se nuk lëviz. Konstituimi i grupit parlamentar të PD ka ndodhur seancën e parë të Parlamentit, në 10 shtator të 2021. Basha bëri aktin e vet, i mori të gjithë kusuret. Bashkimi ndodh me simetri logjike, morale nga pala tjetër, e personalizuar për zotin Berisha.