Korrupsion me tokat e pronat në bregdet, 5 zyrtarë të Kadastrës Sarandë jepnin certifikatë pronësie e legalizimi

Dy drejtues dhe tre zyrtarë të Kadastrës së Sarandës akuzohen se kanë dhënë certifikata pronësie për toka në bregdet dhe kanë leganizuar objekte në shkelje të ligjit. 4 përfunduan në pranga, ndërsa një grua deri më tani i ka shpëtuar arrestimit.

Katër zyrtarë të Kadastrës së Sarandës u arrestuan dhe një e pestë është shpallur në kërkim pasi në shkelje të ligjit regjistruan prona e toka.

Në pranga ranë Andri Dhima 34 vjeç, ish-drejtor i Kadastrës Sarandë, Vasil Lango 37 vjeç, përgjegjës i sektorit të hartografisë, Saimir Braho 32 vjeç, hartograf dhe Erliton Ymeri 37 vjeç, hartograf në këtë institucion.

Ndërsa Kozata Statha, ish-drejtore e Kadastrës Sarandë, që rezulton banuese në Bolonja të Italisë, është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Heshtja 2”.

Zyrtarët akuzohet për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se në në mënyrë të kundërligjshme kanë pajisur disa persona me certifikata pronësie për toka dhe prona në zonat bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit.

Policia thotë se hetimet për abuzimet dhe korrupsionin kishin nisur mbi bazë të një kallzimi penal të ardhur nga Drejtoria e Antikorrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2022. 

Ministri i Drejtësisë,Ulsi Manja, pak ditë më parë denoncoi publikisht se zyrtarë të Kadastrës së Sarandës legaliziuan dy objekte pa leje për të cilët Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte kërkuar shembjen. 

Në muajin shkurt, shefja e  IMT pranë bashkisë Sarandë, Romina Pulaj, u arrestua pasi në bashkëpunim me dy vartës lejonin ndërtimet pa leje në qytetin bregdetar.

Në qeli i çoi rasti flagrant i ndërtimit të pallati 7 katësh, pronari i të cilit  Pando Papuçi po ashtu është në kërkim.