Shtrenjtimi pa zgjidhje, përplasje mes mazhorancës dhe opozitës për "Paketën e Rezistencës"

Ka nisur me debate brenda grupeve të Partisë Demokratike por edhe me mazhorancën seanca parlamentare e së enjtes, ku u diskutua rritja e çmimeve.

Ka qenë deputeti, Edmond Spaho, që kërkoi nisjen e punimeve me interpelancë me Kryeministrin.

Spaho: Ju kërkoj që kjo seancë të fillojë me interpelancën.

Por mazhoranca zgjodhi të mbështesë kërkesën e kryetarit në detyrë të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për debat mbi çmimet.

Balla: E keni të gjithë nga pak Sali nga brenda dhe duke e pasur Saliun brenda merr kot. Ty të ka hyrë Saliu brenda.

Ky qëndrim ka bërë që Spaho të zbresë të paktën dy herë në foltoren e Kuvendit, por revolta e tij është transmetuar pa mikrofon.

Kundër ish-kolegëve të tij në selinë blu ishte dhe Alibeaj që kërkoi debat për çmimet.

Alibeaj: Një orë e më parë të fillojë me të gjitha çështjet në çdo kohë.

Gjatë mocionit me debat, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, u shpreh se kriza erdhi nga koncesionet korruptive të qeverisë e jo nga lufta në Ukrainë. 

Tabaku: Në momentin kur duhej shitur energjia, qeveria bleu. Në momentin kur duhej blerë, qeveria shiti. Çfarë u duhet shqiptarëve që të paguajnë edhe 100 mln euro të tjera për incineratorët?

Ajo nuk harroi të thumbojë qeverine kur kujtoi premtimet për ngritjen e dy satelitëve në orbitë, por edhe për propagandë me inspektimet e ministreve.

Tabaku: Ministrat e ministreshat sa herë që kanë nevojë nëpër markete dhe supermarkete, si një mjet propagande.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi për korrupsion.

Berisha: Lajmëtari i parë ndjellakeq i rritjes së çmimit të energjisë është vetë kreu i qeverisë. Nuk ndodh në botë të bëhet zëdhënës i kompanive të naftës pa pasur aksione të veta në ato kompani. Nafta ka katër taksa, tre tarifa, çfarë është kjo kokëfortësi e tmerrshme që nuk lëviz taksat unë, KESH nuk publikon çmimet me të cilat ka eksportuar energjinë.

Madje sipas tij qeveria fsheh të vërtetën, ashtu si dhe në rastin e gripit të shpendëve.

Berisha: Mbahej sekret qeveritar një sëmundje.

Mazhoranca thuajse në të gjithë fjalimet argumentoi rritjen e çmimeve me luftën në Ukrainë, por duke u shprehur se qeveria po kompenson shtresat në nevojë.

Ahmetaj: Ajo që ka bërë Shqipëria kalon përtej mundësive të veta financiare, mund të shkojë dhe 200 mln dollarë subvencioni në vit.

Edhe kërkesa e opozitës për uljen e taksave u refuzua në seancë parlamentare.

Tashmë debatet do të rikthehen por këtë radhë me interpelancë me Kryeministrin për të njëjtin argument.