Parakalimi i gabuar në “aksin e vdekjes”, shkak i aksidentit në Fushë Krujë
Parakalimi i gabuar, duket se është shkaku i aksidentit me një viktimë dhe dy të plagosur rëndë në aksin Thumanë Fushë-Krujë, që cilësohet si aks vdekje për shkak të numrit të lartë të përplasjeve fatale.
Një parakalim i gabuar, dyshohet se është shkaku i aksidentit fatal mbrëmjen e së mërkurës në aksin Thumanë-Fushë Krujë.
Përplasja e tre makinave la pas një viktimë dhe dy të plagosur rëndë një prej të cilëve një vajzë.
Nga të dhënat hetimore, dyshohet se shkak i përplasjes është bërë një parakalim nga drejtuesi I mjetit Volksvagen.
Në aksident u përfshinë edhe një mjet dhe makina që drejtohej nga Dervish Allamani.
Ky i fundit ndërroi jetë në Spitalin e Traumës për pasojë të plagëve të rënda që kishte marre.
Dy të plagosurit e tjerë ndërkohë ende po trajtohen në spital.
Shoferi i njërit prej mjeteve të përfshira në aksident ndodhet në gjendje të rënduar në reanimacion, ndërsa vajza 26 vjeçare ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Goditja ishte e fortë aq sa makinat u shndërruan në grumbull hekurishtesh dhe për të nxjerrë të plagosurit u desh ndërhyrje e specializuar.
Aksi Fushë Krujë-Milot, konsiderohet si një prej më të rrezikshmëve në vend dhe njollë e zezë aksidentesh.
Jo shumë larg vendit ku ndodhi aksidenti i së mërkurës, më 6 mars përplasja e dy makinave la pas 5 viktima.
Përgjatë muajit Mars janë shënuar disa aksidente fatale, ndërsa në dy muajt e parë të vitit 32 persona humbën jetën në rrugët e vendit.
Mesatarisht çdo dy ditë në rrugë shënohet një viktimë.
Shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve vlerësohet shkaku kryesor.
