"Pasuroheni natën mbi mjerimin e shqiptarëve", Berisha: Kjo Pranverë duhet të jetë e protestave të mëdha
Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve të dalin në protesta dhe të ngrihen për të drejtat e tyre. Duke akuzuar qeverinë se e ka mbajtur të fshehtë gripin e pulave, Berisha hodhi akuza mbi "pasurimin e qeveritarëve natën, mbi mjerimin e shqiptarëve."
Berisha: Na sollën edhe gripin e pulave. Duke shkelur çdo ligj, mbahej sekret qeveritar. Këto janë sëmundje që duhet të deklarohen kombëtarisht, por edhe ndërkombëtarisht. Po njerëzit? Le të sëmureshin njerëzit, le të vdisnin nga pandemia e gripit të shpendëve, mjafton që të ruhej reputacioni i shqiptarëve. Bujqësia është më e braktisura. Kjo krizë nuk është afatshkurtër, ja u them unë.
Në vend që të ndiqnit shembullin e Kosovës e cila subvencionoi çdo hektar të mbjellë me 420 euro, ju vini recitoni këtu. Ju jeni fajtorë para shqiptarëve për këto zhvillime, jeni fajtorë sepse keni dorë në të gjitha këto zhvillime që po ndodhin. Pasuroheni natën mbi mjerimin e shqiptarëve. E mbyll këtë fjalë duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, kjo Pranverë duhet të jetë Pranvera e protestave të mëdha.