U mbyt në 2020-ën në det, familja hodhi në gjyq policinë kufitare, prokuroria kërkon të mbyllë çështjen
Një grua u mbyt në det në gushtin e 2020-s pasi kishte dalë me familje për peshkim.Por gati dy vite pas ngjarjes, familja e saj e ka hedhur në gjyq policinë kufitare, dhe teksa prokuroria kërkon mbylljen e çështjes, familja e viktimës pretendon se rasti i tyre nuk po trajtohet siç duhet nga drejtësia.
Familja Rama nga Vlora kishte dalë mëngjesin e 5 gushtit të vitit 2020 si çdo ditë në det për të punuar si peshkatarë.
Me varkën e tyre, bashkëshorti, gruaja, djali i tyre dhe një punëtor për pak orë në det të hapur ishin gjendur mes një stuhie, e cila përmbyti mjetin lundrues.
3 persona arritën të shpëtojnë, ndërsa gruaja e familjes, Mirela nuk mbijetoi.
Pas ngjarjes djali 25 vjeç paditi në prokurori policinë kufitare për vonesë në ndërhyrje.
Pas hetimeve prokuroria kërkoi në Gjykatën e Vlorës që çështja të mbyllet për shkak se nuk ka asnjë vepër penale, ndërsa krejt të kundërtën e pretendojnë familjarët e viktimës.
"Dhe mjeti lundrues i policisë kufitare ka ardhur rreth orës 10 ne kemi qëndruar në mjet për më shumë se dy orë, të katërt përmbys."
Avdyl Rama pretendon se policia kufitare ka bërë vonesa të paarsyetueshme në ndërhyrje, ndërsa sipas tij një procesverbal i komisariatit të Himarës e vërteton se blutë janë njoftuar të paktën 1 orë para se të ndërhynin.
"Pyetja ime është se nga ora 8 që sqaron komisariati i madh deri në orën 9:13 minuta, çfarë ka bërë policia kufitare? Çfarë ka bërë shteti? Ku ka qenë shteti kur ne ishim në ujë e po mbyteshim?. Policia ka pasur dijeni dhe nuk ka ardhur."
Seanca e radhës gjyqësore është vendosur për 4 maj, ndërsa familja Rama thotë se çështjen në fjalë do ta ndjekë në të gjitha nivelet e gjyqësorit.

