Banorët e “Kodrës së Priftit” e ‘5 Majit’ protestë para Kuvendit: Nëse Rama është Skëndërbe është për Spiropalin jo për ne

Banorët e zonës “Kodrës së Priftit” të zonës ‘5 Majit’ kanë dalë në protestë ditën e sotme para Kuvendit, ku po zhvillohet dhe seanca plenare, kundër shembjes së shtëpive.

Në një deklaratë për mediat ato thonë se shteti po i grabit, ndërsa shtojnë se nuk është zbatuar ligji për shembjen e shtëpive.

Ato kanë hedhur akuza ndaj Kryeministrit Rama duke thënë se ky i fundit nuk ka mbjatur asnjë premtim, ndërsa kërkojnë që t’u kthehen shtëpitë, ose lekët.

“Nëse Rama është Skëndërbe është për Spiropalin, e jo për ne. Për ne janë plehra. Me qenë Skëndërbe nuk e nxjerrë popullin jashtë. Po na bie shteti.”

“ Ndodhemi përballë shembjeve. Na thonë hajde firmos për qiranë, për kontratën e ujit, për kontratën e dritave. Në kontratë thuhet nëse palët dakord, ne s’kemi rënë dakord, pse u shembën shtëpitë. Në momentin që nuk firmoset më një kontratë nuk quhet  më e ligjshme.  Policia të nxjerrë jashtë dhe merr meritat. Këto quhen grabitje. Për sa kohë që kontrata nuk ka vlerë juridike.”

“Protesta jonë është protestë halli. Me prish shtëpitë është e papranueshme. Nuk duam premtime, ose duam shtëpitë ose lekët e shtëpisë. Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim. Paç faqen e zezë Lulzim Basha dhe ai që e ka mund  Bashën. “- shprehet banorët.