Gripi i shpendëve: Mbi 380 mijë shpendë të ngordhur, nuk janë konstatuar vatra të reja

Zëvendës ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci në një deklaratë për mediet ditën e sotme lidhur me situatën e gripit të shpendëve u shpreh se  gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë të konstatuar nga kontrollet.

Deklarata e plotë:

Aktualisht:

· po respektohen procedurat e shuarjes së vatrës,

· po kryhet tamponimi i zonës sipas niveleve të rrezes,

· po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës,

· është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët.

Në të gjithë territorin e vendit deri mbrëmë në darkë kemi

382, 672 shpendë të ngordhur.  Vazhdon procesi për eliminimin dhe asgjësimin e kafshëve që po ngordhin.

Veterinerët zyrtarë të AKVMB kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpend-rritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara.

Nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra.  

Është e rëndësishme për tregtarët dhe publikun që të dihet se është në fuqi urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Ky urdhër do të zbatohet në tre qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër Korçë.

Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla.

Nuk ka asnjë rrezik  për konsumatorët si për mishin ashtu dhe për vezët të cilat i blini nga operatorët e licensuar dhe produktet janë të kontrolluara.

Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius si është dhe procedura normale e gatimit.