Arrestohen dy 19-vjeçarë në Gjirokastër, transportonin 4 emigrantë të paligjshëm

Dy persona që transportonin emigrantë të paligjshëm janë arrestuar nga policia e Gjirokastrës dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Policinë Rrugore në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative finalizuan operacionin  "ROAD GUARD 9", si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. L., 19 vjeç dhe L. N., 19 vjeç, banues në Lushnjë.

"Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në vendin e quajtur "Kordhocë", duke transportuar me automjetin e tyre tip "Toyota", 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit", informoi policia.

Në këkrim u shpall shtetasi D. B., 20 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare. 

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.