Jeni mërzitur apo gëzuar për dorëheqjen e Bashës? Balla: Unë...?

Taulant Balla në një konferencë për mediet nuk dha asnjë koment lidhur me dorëheqjen e Lulzim Bashës. Ai u përgjigj shkurt se çështja më e rëndësishme është paketa e rezistencës të cilën qeveria e miratoi për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve për të përballuar krizën. 

Si e komentoni dorëheqjen e Bashës? Jeni mërzitur apo gëzuar?

Balla: Unë? Nuk ka asnjë koment për këtë çështje. Për ne ka rëndësi më shumë se kjo, paketa e rezistencës sociale.

Tani që u dorëhoq Basha me kë do bashkëpunoni lidhur me reformën territoriale dhe atë zgjedhore?

Balla: Unë jam gati, i kam miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar, nëse PD i ka gati nesër, ne do t'i miratojmë nesër. Unë nuk flas dot në emër të PD, pati një ndërprerje për shkak të zgjedhjeve të 6 marsit ku të gjitha Grupet Parlamentare kishin angazhimet e tyre aty. Nëse PD i sjell nesër emrat, do të kalojnë në seancë dhe kjo i hap pastaj brenda 48 orëve mund të mblidhen të dyja komisionet për të vijuar punën. Për ne është shumë e rëndësishme vijimi i reformës zgjedhore.

A keni komunikim me PD lidhur me këto reforma?

Balla: Sa kohë që objekti i Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore u miratua me konsensus kjo tregon që ka pasur komunikim. Alibeaj është aty dhe drejton Grupin Parlamentar.