Alibeaj: Berisha të tërhiqet nga vendimmarrja e PD-së, të bashkohemi e të përgatitemi për zgjedhje

E ndërsa Basha pas dorëheqjes iku edhe nga selia blu, nënkryetari Enkelejd Alibeaj bëri me dije qëndrimin e mbajtur në mbledhje nga deputetët e PD-së.

Ai tha se grupi parlamentar i PD-së  vlerëson aktin e dorëheqjes së kryetarit të PD në funksion të zgjidhjes së problematikës, që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë.

Alibeja shtoi se Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD.

“Në përfundim të veprimtarisë së përbashkët të Grupit Parlamentar, Kolegjit të Kryetarëve dhe Anëtarëve të Kryesisë, Grupi Parlamentar doli me një qëndrim të dakordësuar. Qëndrimi i grupit parlametar të Partisë Demokratike: Grupi parlamentar i PD vlerëson aktin e dorëheqjes së kryetarit të PD në funksion të zgjidhjes së problematikës, që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë. Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen dhe për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve. Kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD për shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA.

Grupi parlamentar shpreh gatishmërinë për të negociauar me anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për t’i hapur rrugë bashkimit. Grupi ngarkon strukturat përgjegjëse për të pranuar një grup të përbashkët për të lehtësuar ndërmjetësimin.

Grupi vlerëson se pas dakordësinë i hapet rruga për:

A- Ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë për bashkim

B- Përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale

C- Përgatitjen e kushteve të nevojshme për zgjedhje menjëherë pas zgjedhjeve lokale.