Drejtoresha e AKV: Gripi transmetohet te njerëzit nga kontakti i drejtpërdrejtë me shpendët, jo nga konsumi i produkteve

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, Tana Kika, në deklaratën e sotme ka nënvizuar se konsumimi i produkteve të shpendëve nuk është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve. Sipas saj sugjerohet qe produktet të gatuhen mbi 70 gradë celsius.

Kika: Ajo që duhet të theksohet për publikun është se nuk ka vend për panik  për konsumatorin i  cili konsumon produktet me origjinë nga shpendët, mish apo vezë. Ky virus e prek njeriun, por deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar që vjen nga konsumi i produkteve.

Vjen nga kontakti i drejtpërdrejtë me shpendët e sëmurë apo të ngordhur nga ky virus. Ndaj i bëhet thirrje sërish konsumatorit mos prekë shpendë të sëmurë apo të ngordhur si dhe mund t'i konsumojë lirshëm duke i trajtuar në një temperaturë 70 gradë për rreth 20 minuta, mishin dhe vezët.