Sherri me armë e sende të forta në Kombinat, arrestohen 3 persona
Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, 20 mars në Kombinat, në rrugën "Llambi Bonata" ku u raportua për një konflikt me armë.
Sipas bluve të kryeqytetit u bë arrestimi i A. Sh., 60 vjeç, për veprat penale "Vrasja me dashje" mbetur në tentativë, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; E. G., 27 vjeç dhe M. G., 42 vjeç për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje", kryer në bashkëpunim.
Në njoftimin e policisë thuhet se Shtetasi A. Sh., gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin E. G., ka tentuar ta vrasë me armë zjarri. Më pas shtetasi E. G., së bashku me shtetasin M. G., kanë goditur shtetasin A. Sh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, një krehër me municion luftarak, gëzhoja dhe një automjet në pronësi të shtetasit A. Sh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
