Shënohet vatra e parë e zjarrit në pyjet e Kukësit, zjarrfikësit punojnë me lopata
Një vatër e madhe zjarri ka rënë paraditen e kësaj të hëne, 21 mars në Njësinë Administrative Malzi të Kukësit. Zjarri u shfaq në zonën e quajtur Shtane në një sipërfaqe pyjore më dushk dhe dëllinjë.
Ndërkohë Bashkia e Kukësit ka angazhuar 8 efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë ndërsa Shërbimi Pyjor 3 efektivë zjarrfikës.
Po punohet për të bërë të mundur shuarjen dhe izolimin e zjarrit që ka rënë në një sipërfaqe të madhe prej 8-10 ha.
Për shkak të terrenit mjaft të thyer malor, grupet e punës ecin në këmbë ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit është i vështirë, favorizuar dhe nga erërat e forta që përhapin flakët.
Shuarja po bëhet me lopata dhe pompa shpine të shuarjes së zjarrit pasi makina zjarrfikëse e ka të pamundur futjen në mal. Gushtin e vitit të kaluar u shkrumbuan qindra hektarë pyje e kullota.
